Ilir Lena është 53-vjeçari që humbi jetën sot në fabrikën e paketimit të fruta-perimeve Agro F&R Janko, në Divjakë.
Kolegët e tij kanë deklaruar se 53-vjeçari ka qenë duke paketuar karrota kur ka ndodhur ngjarja e rëndë.
Ata thonë se ai është ulur në tokë për të rregulluar një pako me karrota, kur një pajisje e makinerisë e ka goditur në kokë.
“U ul për të marrë dy karrota poshtë, aty ndodhi mbase. Ka kaq vite që punon këtu.”
Të parët që i kanë ofruar ndihmë kanë qenë kolegët e tij, të cilët kanë njoftuar edhe ambulancën.
Ai është dërguar me shenja jete në urgjencën e Divjakës, por për shkak të gjendjes së rënduar ai është nisur për në spitalin e Lushnjes dhe rrugës ka humbur jetën.
Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të zbuluar si ka ndodhur ngjarja e rëndë, ndërsa ka marrë në pyetje edhe administratorin e fabrikës, Ristan Jankon, si dhe disa punonjës të tjerë.
53-vjeçari Lena kishte 20 vite që punonte në magazinat e kësaj fabrike.