Një vajzë dhe nëna e saj u gjetën të pajeta ditën e sotme në banesën e tyre në qytetin e Korçës.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se e para ka ndërruar jetë vajza, 54-vjeçarja Ornela Vangjeli, e cila punonte si edukatore në fshatin Vithkuq. Shkak i vdekjes mendohet të jetë një sulm në zemër.
Më pas dyshohet se ka ndërruar jetë edhe nëna 75-vjeçare Eleni Vangjeli, e cila ishte invalide dhe nuk kujdesej dot për veten.
Ka qenë vëllai i viktimës ai që kishte telefonuar disa herë, por motra nuk i kishte përgjigjur. Ai është nisur nga Greqia dhe ka bërë zbulimin tronditës kur ka mbërritur në Korçë.
Policia tha se dera ishte e mbyllur nga brenda, ndërsa nuk dihet se sa kohë ka kaluar që kur nënë e bijë ndërruan jetë, por mendohet rreth 5 ditë më parë.