Vajza e madhe e Pëllumb Metës 50 vjeçarit që u vra nga 3 fëmijët e tij dhe u gropos në oborrin e shtëpisë në Shënavlash të Durrësit, ka dhënë dëshminë në polici lidhur me ngjarjen që tronditi vendin ditë më parë.
Ajo është shprehur në komisariat se nuk ka ditur asgjë për vrasjen e babait nga vëllezërit dhe motra e saj dhe se kishte marrë vesh gjithçka nëpërmjet mediave.
Bëhet me dije se ajo është pyetur mbi marrëdhënien që kishte babai i saj me familjen. Vajza e madhe ka qëndruar në të njëjtën linjë me pjesëtarët e tjerë të familjes sa i takon konflikteve që ato kanë deklaruar se kishin patur vazhdimisht me të ndjerin, e cila u shpreh se i ati ishte autoritar dhe gjithmonë kërkonte të bëhej siç thonte ai.
Në një intervistë të dhënë 3 ditë më parë për ‘Pa Gjurmë’, Blerina Meta, bashkëshortja e Pëllumb Metës tha se kishte rënë pre e dhunës së tij për vite me radhë dhe se vazhdimisht, viktima e kërcënonte atë dhe fëmijët se do t’i vriste.
Ndërsa 3 fëmijët, Hysen, Hygerta dhe Amarildo Meta, u lanë në burg nga gjykata e Durrësit në 26 shkurt nën akuzën e vrasjes së të atit.