Një e re është hedhur nga dritarja e një dhome hoteli në qendër të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur pasdrekën e së martës në qytetin bregdetar, në një godinë përbri godinës së Prefekturës së Qarkut.
22-vjeçarja ka rënë mbi tendën e një lokali dhe pasi ka marrë informacion për situatën, policia ka kërkuar ndihmën e shërbimit zjarrfikës të Durrësit, që ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka bërë të mundur zbritjen e vajzës nga tenda.
Gjendja e saj fizike ka qenë e mirë, por jo ajo psikologjike. Autoambulanca që kishte mbërritur në vendin e ngjarjes e ka dërguar në spital për një kontroll mjekësor.
Policia e Durrësit thotë se e reja nga Venezuela është konfliktuar fizikisht me 39-vjeçarin I.Z.
“Rreth orës 14:40, në rrugë, në lagjen nr. 2, dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht shtetasi I. Z., 39 vjeç, banues në Shijak dhe shtetasja nga Venezuela, D. L., 22 vjeçe.
Si pasojë janë dëmtuar lehtë të dy të përfshirët në konflikt, të cilët po marrin asistencë mjekësore në spital”-njofton policia.
Paraprakisht bëhet e ditur nga policia se e reja është hedhur vetë nga dritarja për t’i shpëtuar një sherri në dhomën e hotelit, por ekziston mundësia që mund edhe të jetë shtyrë nga 39-vjeçari.
Top Channel/ Hidhet nga dritarja e dhomës së hotelit e reja në Durrës
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të konfliktit.