Një plagosje e dyfishtë me armë zjarri ndodhi mbrëmjen e sotme në Shkodër në fshatin Grudë e Re. Mësohet se është qëlluar me armë zjarri shtetasi Gjon Nika, rreth 30 vjeç.
Si pasojë e të shtënave është plagosur edhe kunati i tij, shtetasi Gjergj Ndërshtiqa, 28 vjeç, student në Akademinë e Sigurisë. Të dy këta shtetas janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore.
Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë, drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, për kapjen e autorëve, në afërsi të vendit të ngjarjes, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Renault”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Pas sqarimit të rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve të para, do të ketë informacion më të detajuar për këtë rast.