Kanë dalë detaje të reja nga vrasja e Gentjan Bejtjas, ngjarje e ndohur ditën e djeshme.
Dyshohet se kanë qenë 4 persona të cilët u afruan me një automjet tip “Land Rover” nga zona e Fushë-Krujës në drejtim të Larushkës.
Ata arritën në rrugicën pranë vilës së Bejtjas rreth orës 16:20. Autorët e parkuan makinën pranë portës kryesore të vilës dhe më pas dyshohet se tre prej tyre zbritën, të maskuar dhe me veshje të zeza, duke mbajtur 3 kallashnikovë. Njëri nga autorët mbeti në makinë për t’u larguar më pas.
Porta e madhe e vilës ishte hapur, duke u lehtësuar kështu hyrjen e autorëve në oborr. Gentjan Bejtja ishte disa metra larg oborrit.
Autorët e qëlluan atë me breshëri automatike, duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas u larguan.
Në vendin e ngjarjes, policia gjeti rreth 50 gëzhoja kallashnikovi, të cilat sipas të dhënave paraprake ishin rezultat i përdorimit të tre kallashnikovëve nga autorët.
Pas atentatit, autorët hipën në makinën e tyre dhe u larguan në rrugën kryesore që lidh Fushë-Krujën me Kamzën.