“Po dridhesha kur lexova lajmin”, familjarët të tronditur nga vdekja e 20-vjeçarit: Ai po shkonte në punë

Në Via San Marco, Itali, ku jeton familja e 20-vjeçarit shqiptar, Alfred Vocaj, ka vetëm klithma të qarash dhe njerëz që hyjnë e dalin me kokën ulur.

Miq dhe familjarë të shumtë janë pranë familjes Vocaj e cila ditën e djeshme humbi djalin e vetëm në një aksident tragjik me motor në Padova.

Të afërmit e djalit e kuptuan atë që kishte ndodhur sapo panë lajmet, por konfirmimi nga ana e policisë i tronditi edhe më tepër. Një kushëri i 20-vjeçarit thotë:

“Po i hidhja një sy faqeve të gazetave kur lexova lajmin e parë të aksidentit. Nisa të dridhesha kur lexova pak detaje: rrugën ku kishte ndodhur përplasja, llojin e motorit të përfshirë, kohën kur ndodhi, moshën e personit që vdiq.

Menjëherë mendova se ishte ai, gjithçka përputhej. Unë u përpoqa ta telefonoja disa herë në celular, por ai nuk më përgjigjej . Më pas filloi paniku”.

Babai i tij, Gjeka, sipërmarrës prej 26 vitesh në sektorin e ndërtimit, me zërin që i dridhej tha:

“Djali im, si çdo ditë, po shkonte në punë. Para një jave ai ishte punësuar si mekanik në një garazh në zonën industriale të Padovës. Më parë ai kishte punuar në një dyqan fruta- perimesh, gjithashtu në Padova.

Ai kishte një pasion të madh për mekanikën dhe po ndiqte gjithashtu edhe një kurs specializimi. Ai donte të përmirësohej, ai po bënte ëndrrën e tij realitet”.

Megjithatë, një jetë me shpresa dhe aspirata që po merrte formë u shkatërrua në pak momente në autostradën e shpejtë 47. Motoçikleta të cilën po ngiste djali, një Aprilia 125, ishte blerë vetëm një muaj më parë më parë me paratë e punës së tij.

Babai i tij vazhdon:

“Alfredi ishte një djalë i matur, pikërisht për shkak të njohurive të tij për motorët, ai e dinte shumë mirë që kur blini një automjet nuk duhet të bëni shaka.

Nuk kishte blerë një motor të fuqishëm, ai dinte rreziqet. Ai ishte një djalë normal, me këmbë në tokë, që i pëlqente të luante sporte si shumë nga bashkëmoshatarët e tij”.

Familjarët e 20-vjeçarit duan të dinë rrethanat e sakta të aksidentit tragjik, pasi nuk mund ta besojnë se si ai ka përfunduar në korsinë tjetër dhe është goditur nga një makinë.

Share This Article
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com