Ndryshe nga çfarë u tha në informacionin e parë të arrestimit, hetuesit duket se kanë zbuluar rolet e vërteta të Ilir Beqaraj dhe Edison Haxhiu në vrasjen e Gentian Bejtjas më 15 mars.
Beqaraj, i cili mbante dhe dy mbiemra të tjerë, Brahimi apo Mançellari, i arrestuar të mërkurën për atentatin ku u vra Gentjan Bejtja brenda serës në oborrin e shtëpisë në Larushk, është personi që ka transportuar 4 atentatorët nga
vendi ku u dogj makina e parë “Land Rover Discover” në fshatin Hasan, në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, devijuan djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe iu drejtuan fshatit Bubq, Krujë.
Hetuesit tashmë janë të bindur se nuk ka qenë ai në grupin e qitësve që gjetën hapur derën kryesore të oborrit dhe realizuan vrasjen.
Burimet bëjnë me dije se Ilir Beqaraj mbërriti me makinën “Golf” pa targa në anën e pasme një minutë pasi autorët kishin djegur automjetin.
E njëjta makinë, tashmë dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore, mund të zbardh detaje interesante mbi ngjarjen.
Ajo do të ekzaminohet tërësisht në përpjekje për të gjetur prova biologjike të vrasësve që dyshohet të jenë me pagesë. Në drejtim të 43-vjeçarit Bejtja është qëlluar nga 3 kallashnikovë, kjo tashmë e provuar edhe nga rezultatet e ekspertizës.