Klodiana Lala ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për hetimet e SPAK që kanë tronditur Bashkinë e Tiranës, duke çuar deri tani në pranga tre drejtorë dhe me masa sigurie gjashtë të tjerë.
Lala tha se kryebashkiaku Veliaj është në listën e personave që do të thirren për t’u pyetur dhe se roli i tij është duke u hetuar në dosjen 5D, por edhe në çështjen e inceneratorit të Tiranës, ky dy zyrtarë të bashkisë, Taulant Tushe dhe Namik Simixhiu janë në pranga.
“Zoti Veliaj është në listën e personave që do të pyeten. Deri tani nuk ka fletëthirrje zyrtare.
Prokuroria po vijon me zbërthimin e telefonave. Po verifikohen edhe tenderat që dyshohet se jnë zhvilluar në institucionet e tjera. Veliaj është listuar si person që do të merret në pyetje si person në dijeni, më pas do të varet nga SPAK.
A është nën hetim? Është nën hetim roli i tij, për të parë nëse ka qenë autoritet kontraktor, që në disa raste rezulton se ka qenë Bashkia Tiranë. Por edhe për të parë kontaktet. Gjatë kontrolleve në kompaninë 5D, mes drejtuesve ka kontakte edhe me zotin Veliaj që do të shihen nëse hyjnë në kategorinë e veprave penale.
Hetime të tjera në bashki, dimë se Veliaj po hetohet në kuadër të inceneratorit. Taulant Tushe është në arrest me burg. Në kuadër të këtij hetimi është ushtruar kontroll në banesat e disa zyrtarëve shumë të lartë, janë marrë telefona dhe materiale.
Taulant Tusha ka masë sigurie edhe për dosjen 5D, bashkë me Qaton dhe Mollën. Prokuroria është fokusuar fillimisht te tenderat në Bashki dhe në ndërmarrjet në varësi. Tani po sekuestron praktika të tenderave në qytete të tjera, Durrës, Shkodër, etj, ku 5D ka garuar për të fituar tendera”.
Lala shpjegoi edhe skemën e përdorur nga drejtorët për ngritijen e një kompanie që do të përvetësonte paratë publike, duke nisur fillimisht me një elektriçist dhe një bukëpjekës dhe më pas me Nestor Muhametllarin, sot i arrestuar nga SPAK.
“Do e them skemën me fjalë të thjeshta. Në 2016, një elektricist krijon kompani që e quan Igor Elektrik. Kjo kompani, pa mbushur as një muaj, fiton tenderin e parë. Këtë e merr te Ujësjellësi, ku Molla dhe Qato kanë patur funksione të rëndësishme në Bashki.
Këtë kompani e shet në vitin 2017 edhe pse kishte xhiro të konsiderueshme, Muhamet Petritit, bukëpjekës. Muhamet Petriti rezultonte administrator, por nuk ishte as i regjistruar dhe siguruar, por sigurohej te furra e bukës së bashkëshortes.
Një vit më vonë, Muhamet Petriti, vjehrri i vëllait të Qatos, e merr kompaninë 100%. Më pas kompania shitet 75 lekë të re, më pak se një kafe turke. Në 2021 shitet për 10 mijë euro te Nestor Muhametllari, ndërkohë që fitimin e kishte 2 milionë euro.
Nestor Muhametllari dhe Muhamet Petritit, që duhet të ishin pronarë, nuk kishin as numrin e njëri-tjetrit. Muhametllari kishte numrat e telefonit të Qatos dhe Mollës, por jo kontakt me pronarin e kompanisë.
Pra ishin brenda një kompanie fiktive dhe ndodhte që zyrtarët e bashkisë, i shpallnin procedurat dhe ishte vetë kompania private dhe njerëzit e dërguar prej tyre, ndërhynin në user dhe bënin skualifikimin e të tjerëve.
Të gjithë punonjësit e dinin kush ishin pronarët e vërtetë të kompanisë. Po të shohësh përgjimet, thonë e ka shtetit vetë. Një punonjëse thotë unë ika nga puna që të mos dilja në fushatë, këta më thoshin dil në fushatë.
Në zgjedhje vendore, punonjësit e 5D merreshin me listë dhe nxirreshin në fushatë. Jo vetëm që e dinin kush ishin pronarët por heshtnin.
Një nga punonjëset thotë plasi sherri këtu dhe thotë kam vajtur në shtëpi dhe po fle me Xanax.
Gjykata e Posaçme në pikën 88 të vendimit, i lë detyrë SPAK-ut të hetojë kreun e autoritetit kontraktor, por nuk e përcakton a është Bashkia apo shtetasi Veliaj.
Po ta lexosh me kujdes, kupton që gjykata ka lënë detyrë të hetohet direkt Erion Veliaj. Të gjithë procedurat e fundit tenderuese, autoriteti kontraktor ishte Bashkia e Tiranës”, deklaroi Lala.