Qyteti i Dusseldorfit është tronditur nga një vrasje me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të 28 prillit.
Vrasja mësohet se ka ndodhur para një lokali në qendër të qytetit, ku viktima është një 38-vjeçar, pronari i lokalit, ndërsa arma është shkrepur nga një 52-vjeçar, shqiptar i Kosovës.
Mediat gjermane raportojnë se dy personat kanë dalë jashtë restorantit për të zgjidhur një debat në të cilin ishin përfshirë me njëri-tjetrin.
Konflikti ka dalë jashtë kontrollit deri në pikën sa shqiptari ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka qëlluar disa herë viktimën duke e lënë të vdekur në vendin e ngjarjes.
Sikur të mos mjaftonte krimi i rëndë që kreu, 52-vjeçari është rikthyer sërish në ambientet e lokalit duke kërcënuar personat që ishin brenda, në atë moment ai është kapur nga forcat e rendit me armën e krimit ende në dorë.
Ende nuk është zbuluar arsyeja e konfliktit që u përshkallëzua në këtë vrasje të rëndë.