Policia e Shkodrës ka njoftuar se babi Ergys Arrazi ka dhunuar bashkëshorten dhe dyshohet se si pasojë vajza 9-vjeçare është vetëmbytur në lumin Buna.
Kryefamiljari kishte deklaruar në polici se gruaja dhe fëmijët e tij ishin zhdukur, ndërsa hetimet e derimëtanishme nxjerrin atë fajtorin kryesor dhe autorin e kësaj ngjarje të rëndë.
Ai është arrestuar nga policia ku deri më tani i rëndon akuza ‘shkaktar vetëvrasje’. Në trupin e vajzës 9-vjeçare u gjetën shenja dhune në pjesën e fytyrës, dhe hetuesit dyshojnë se është dhuna e ushtruar nga i ati që ka shkaktuar këtë ngjarje tronditëse.
“Vihet në pranga 31-vjecari, për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës.
9-vjeçarja është gjetur e pajetë, dyshohet e vetëmbytur në lumin Buna.
Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.
Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.
Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve.
Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj” thuhet në njoftimin e policisë.