Vetëm tre ditë pas ngjarjes makabre të vrasjes së çiftit të moshuar në Dropull, të qarkut Korçë, uniformat blu kanë zbardhur ngjarjen si dhe kanë arrestuar 69-vjecarin, Thoma Mastora. Raportohet se 69-vjeçari ka qenë për herë të fundit në banesën e çiftit, ku ka pirë kafe dhe raki më ata dhe pas një konflikti të çastit i ka qëlluar për vdekje me sende të forta.
Burime policore bëjnë me dije se shkaku i krimit dyshohet të ketë qenë synimi i autorit të krimit që të marrë pronat (tokat) e çiftit të moshuarve në fshatin Bridishtë. Nga një konflikt i momentit ka përshkallëzuar deri në përdorimin e mjeteve të forta duke lënë të pajetë Kosta e Kleoniqi Ilia, 80 e 84 vjeç, në banesën e tyre dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Burime paraprake nga vendngjarja deklarojnë se në banesën e çiftit të moshuarve janë gjetur 5 milionë lekë të reja, ndërsa autori rezulton i dënuar më parë për vjedhje.
Për zbardhjen e ngjarjes, policia ka shoqëruar dhe pyetur 35 persona, ndërsa alarmi që ngriti motra e Kleoniqi Ilia zbuloi ngjarjen e rëndë. Ajo nuk kishte mundur të lidhej në telefon me të motrën dhe kishte njoftuar fqinjën, ndërsa kjo e fundit e gjeti çiftin të vdekur në banesë.
Uniformat blu arrestojnë autorin
Sakaq, burime bëjnë me dije se policia ditën e djeshme ka arrestuar autorin e krimit, Thoma Mastora. Raportohet se pas ekzaminimit të provave biologjike nga policia shkencore është identifikuar dhe arrestuar autori i vrasjes së Kosta dhe Kleoniqi Ilia, 84 dhe 88 vjeç.
Kujtojmë se autori i krimit makabre ditën e ngjarjes (2 Maj 2024), ka shkuar në banesën e çiftit të moshuarve, aty ku dyshohet se edhe ka pirë kafe me këto të fundit dhe më pas i vrarë me sende të forta. E moshuara u gjet e pajetë në banesë, ndërsa 84 vjeçari u gjet i vdekur në oborrin e banesës së tyre.
Shkaku i krimit dyshohet të ketë qenë synimi i autorit të krimit që të marrë pronat (tokat) e çiftit të moshuarve në fshatin Bridishtë. Sipas banorëve të zonës thuhet se autori njihet si njeri problematik, ku është bërë disa herë pjesë e konflikteve në fshatin Bodrishtë.
Ai është trajtuar 3 herë në spitalin psikiatrik në Vlorës. 69-vjeçari është nga Portëza e Fierit dhe është martuar në fshatin Bodrishtë në maj të vitit 1989. Me fillimin e ndryshimeve politike Thomai shkon në Greqi së bashku me gruan. Për shkak që të përfitonte dokumente greke ai merr mbiemrin e bashkëshortes Mastora.
Dyshohet se e ka ndryshuar edhe emrin pasi më parë e ka pasur Petrit. Ndaj tij rëndon akuza penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi në momentin e arrestimit i është gjetur një sasi municioni luftarak, si edhe mjeti më të cilin ka vrarë të moshuarit që është dërguar për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencor.
Reagimi i Policisë
Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa në një deklaratë për mediat të mbajtur ditën e djeshme zbuloi detaje të reja nga ngjarja, ndërsa përjashtoi pistën e vjedhjes në banesë, gjë e cila u dyshua që në momentet e para kur u zbulua dinamika e vrasjes.
Ai konfirmoi se të dy viktimave iu janë gjetur shenja dhune në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit nga goditja me sende të forta. “Nga këqyrja sipërfaqësore e trupit të shtetasit Kosta dhe Kleoniqi Ilia u konstatuan shenja dhune në pjesë të ndryshme të kokës dhe trupit.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ambienteve të banesës dhe gjithë oborrit nuk u konstatuan shenja të vjedhjes apo të krijohej bindja se autorët mund të kishin ushtruar kontroll me qëllim gjetjen e vlerave monetare apo sende me vlerë që mund të posedoheshin nga viktimat”, tha Çipa në një deklaratë për mediat.
Deklarata e Drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa
“Përshëndetje. Jam para jush për të bërë prezent rezultatet e një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 02.05.2024 në fshatin Bodrishtë të bashkisë Dropull ku u gjetën të pa jetë dhe me shenja dhune çifti i të moshuarve Ilia.
Më datë 02.05.2024 rreth orës 08:00 jemi njoftuar se në fshatin Bodrishtë/Dropull ishin gjetur nga bashkëfshatarët pa shenja jete dy shtetas në brendësi të banesës së tyre. Me marrjen e njoftimit shkuan menjëherë në vendngjarje shërbimet e policisë, drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe të Komisariatit të Policisë.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ambienteve të banesës dhe gjithë oborrit nuk u konstatuan shenja të vjedhjes apo të krijohej bindja se autorët mund të kishin ushtruar kontroll me qëllim gjetjen e vlerave monetare apo sende me vlerë që mund të posedoheshin nga viktimat.
Nga veprimet hetimore të kryera me ekspertët kriminalistë dhe mjeko- ligjorë u arrit në konkluzionin se viktimat ishin goditur me sende të forta dhe prerëse duke u shkaktuar vdekjen. Për thellimin e hetimit u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme sende dhe mjete të cilat dyshohej se kishin lidhje me rrethanat e ngjarjes dhe që ekzaminimi i të cilave do të identifikonte autorin dhe dokumentonte me prova ligjore.
Nga verifikimet paraprake, rezultoi se në brendësi të oborrit të banesës është gjetur i pajetë shtetasi Kosta Ilia 84 vjeç, lindur e banues ne Bodrishtë dhe në brendësi të banesës është gjetur e pajetë Kleoniqi Ilia 88 vjeçe, lindur e banuese në Bodrishtë.
Nga këqyrja sipërfaqësore e trupit të shtetasit Kosta dhe Kleoniqi Ilia u konstatuan shenja dhune në pjesë të ndryshme të kokës dhe trupit. Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar në banesë u arrit të gjendej, fiksohej dhe sekuestrohej me cilësinë e provës materiale përveç provave të tjera dhe një vlerë e konsiderueshme rreth 5 milion lekë të reja që çifti i të moshuarave kishte në banesë.
Për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve u shoqëruan, u dhe pyetën për rrethanat e hetimit 35 shtetas. Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale u bë ekzekutimi i urdhërit të Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për ndalimin e shtetasit: Thoma Mastora, 69 vjeç, banues në Bodrishtë/Dropull “, i dënuar më parë për vjedhje.
Gjatë kontrollit të banesës së 69 vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar të krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës, dhe prova të tjera që janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Policisë Shkencore.”