Rrugë me emrin “Tomor Malasi”/ Në nder të ish-kryetarit të bashkisë së Tiranës në vitet 1991-1992

Një rrugë në kryeqytet ka marrë emrin e  Tomor Malasit, ish-kryetari i parë i Bashkisë së Tiranës në vitet 1991-’92 dhe një prej figurave të spikatura të PD-së pas 90-ës.

“Në jetën e një qyteti ka njerëz që kthehen në simbol të kohës që përcakton ndryshimet e mëdha të historisë së një vendi. Tomor Malasi e pati këtë fat, të ishte simbol i kohës që po kalonte Shqipëria në fillim vitet ‘90”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha në fjalën e tij se Malasi u rreshtua në grupin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të PD-së, të cilët kërkonin që kjo forcë politike dhe ish Presidenti Berisha, të mbanin përgjegjësi për fajdet që shkaktuan trazirat e vitit 1997.

“Ai u bë nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë në periudhën ’92-’96, në vitet jashtëzakonisht të vështira të tranzicionit, duke dëshmuar një urtësi të rrallë për atë kohë trazirash dhe një pjekuri në vendimet e veta. Madje, edhe në vitin ’97, në atë vit të mbrapshtë të Shqipërisë, iu bashkua grupit të deputetëve të PD, që u bënë rezistencë atyre politikanëve që donin t’i vinin zjarrin Shqipërisë për interesa të politikës së momentit”.

Projektimi i Tiranës si metropoli më i madh i Ballkanit, sipas Veliajt, u bë para 30 vitesh nga Tomor Malasi, i cili mundësoi vendosjen në kryeqytet të të gjithë atyre që erdhën nga çdo skaj i Shqipërisë.

Share This Article
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com