Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, në një deklaratë për mediat, ka dhënë detaje për operacionin e sotëm policor për falsifikim dokumentesh dhe kalim të paligjshëm të klandestinëve në kufi, ku janë vendosur në pranga 21 persona.
Gazetari Igli Celmeta i shtroi pyetjen Rrumbullakut se përse operacioni sot ka qenë më i suksesshëm në ekzekutimin e masave të sigurisë (21 të arrestuar nga 31 urdhër-arreste) nga operacioni dy javë më parë po për klandestinët e paligjshëm. Gjithashtu, Çelmeta tha se në operacionin e përpara dy javëve janë shpallur në kërkim edhe dy policë e pyeti nëse ka dyshime që ata të kenë përdorur aplikacione si Sky Ecc.
Drejtori i Policisë së Shtetit Rrumbullaku tha se i bën thirrje dy efektivëve të shpallur në kërkim që të dorëzohen vetë dhe të përgjigjen përpara drejtësisë. Po ashtu, Rrumbullaku tha se policia nuk disponon të dhëna që policët e shpallur në kërkim, të kenë përdorur aplikacionin Sky Ecc.
Gazetari:
Muhamet Rrumbullaku: Absolutisht edhe operacioni përpara dy javësh në lidhje me grupin e strukturuar kriminal, është vlerësuar maksimalisht nga Policia e Shtetit, për të cilin ne kemi bërë edhe njoftim për detajet. Sa i përket masave për dy ish-punonjësit e Policisë së Shtetit, u bëj thirrje të dy drejtuesve të policisë që të paraqiten sa më parë të jetë e mundur, pavarësisht masave që janë ndërmarrë ndaj tyre, për t’u përgjigjur përpara drejtësisë. U takon dhe atyre që të paraqiten para drejtësisë dhe të sqarojnë pozicionin e tyre përpara ligjit. Askush në Policinë e Shtetit nuk ka mbrojtje. Sa i përket deklaratave, nëse kanë pasur apo jo në përdorim Sky Ecc, në materialet që ne disponojmë, nuk kemi të dhëna për përdorime të këtyre aplikacioneve.