UEFA nis hetimet për Dakun dhe thirrjet anti-serbe të tifozëve shqiptarë dhe kroatë

UEFA ka njoftuar se ka hapur hetime për thirrjet e tifozëve në tribuna dhe pas sfidës mes Kroacisë dhe Shqipërisë, që u luajt të mërkurën në Hamburg.

Pjesë e hetimit do të jetë edhe festimi në fund të ndeshjes i Mirlind Dakut, i cili akuzohet për sjellje të papërshtatshme.

Ndaj tij bëri ankesë Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut sipas së cilës, Daku bëri thirrje të pahijshme kundër popullit maqedonas. Ndërsa për tifozët u ankua Federata Serbe e Futbollit që akuzoi tifozët shqiptarë dhe kroatë se kanë hedhur parulla raciste.

“Në përputhje me nenin 31(4) të Rregullores disiplinore të UEFA-s, një Inspektor i Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s është caktuar sot për të kryer një hetim në lidhje me sjelljen e mundshme raciste dhe/ose diskriminuese nga mbështetësit që dyshohet se kanë ndodhur në kuadër të Kampionatit Europian 2024 në ndeshjen e fazës së grupeve ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës Kroate të Futbollit (HNS) dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), e luajtur më 19 qershor 2024 në Hamburg të Gjermanisë.

Në lidhje me ndeshjen e fazës së grupeve të Kampionatit Europian 2024 ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës Kroate të Futbollit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit të luajtur më 19 qershor 2024 në Hamburg të Gjermanisë, është hapur një hetim në lidhje me sjelljen e supozuar të papërshtatshme të lojtarit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), z. Mirlind Daku. Informacione të mëtejshme në lidhje me këtë çështje do të vihen në dispozicion në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.

Pas ndeshjes me Kroacinë, me një mikrofon në dorë, Mirlind Daku u bashkua me festimet e tifozëve shqiptarë të pranishëm në stadiumin e Hamburgut. Në një video të publikuar në rrjete sociale sulmuesi, i rrëmbyer nga emocionet, është bashkuar me thirrjet ofenduese ndaj popullit të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Federata e Maqedonisë së Veriut reagoi menjëherë dhe kërkoi që ndaj sulmuesit të merren masa disiplinore.

Share This Article

Të Fundit

Të Preferuara

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com