‘Jetoj çdo ditë me vuajtjet e pacientëve’/ Mjeku Edmond Gashi fshin postimin

fustane me qera

Pas skandalit të zbuluar në Spitalin e Onkologjikut, ka reaguar për herë të parë publikisht mjeku i akuzuar, Edmond Gashi.

Në një postim në Facebook, bërë në orët e vona të së premtes, ai shprehet se ndaj figurës së tij po hidhet baltë dhe se duhet t’i lihet në dorë drejtësisë të zbardhë të vërtetën.

Ai shkruan se edhe mjekët gabojnë, por shton se ai u është përgjigjur pacientëve dhe se “jeton me vuajtjet e tyre”. Sipas tij është e drejta e pacientit të zgjedhë të shkojë në klinikë private, dhe se ai ka detyrim t’i përgjigjet.

Pas disa orësh, mjeku e fshiu postimin e tij

POSTIMI I PLOTE

Ndjej detyrimin dhe përgjegjësinë morale para familjes time, pacientëve, kolegëve dhe stafit mjekësor të Onkologjikut, qytetarëve të vendit tim, të sqaroj disa të pavërteta të nxitura nga portale anonime dhe gazetarë keqdashës në adresë të personit tim.

E kam thënë që në krye të herës dhe e përsëris, si mjek udhëhiqem në punën time nga ai betim që më shoqëron prej ditës së parë që kam hedhur mantelin e bardhë mbi supe. Mjeku bën detyrën e tij që është trajtimi dhe referimi i pacientit për çdo rast që paraqitet për një problematikë shëndetësore. Mjeku nuk di ta mbyllë telefonin apo derën e dhomës së vizitave e konsultave.

Mjeku nuk ka orar pune, por përgjigjet atëherë kur pacienti e kërkon që të luftojnë të dy së bashku sëmundjen. Si mjek kirurg kam përballuar numrin më të madh të ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalin publik dhe 90% e tyre janë operacione të suksesshme. I ka të dhënat Onkologjiku dhe QSUT-ja, verifikojini dhe binduni për çdo dyshim.

Distancohem ndaj çdo tendence keqpërdorimi të emrit tim nga interesa të mirëfillta okulte.

Le t’ia lëmë hetimit të zbardhë të vërtetën, besimi im ndaj institucioneve ka qenë dhe mbetet primar. Jo pa qëllim ditën e djeshme unë kam mbërritur para ambienteve të Gjykatës në orarin e përcaktuar nga kjo Gjykatë, duke iu përgjigjur hetimit dhe institucioneve.

Sërish u sulmova dhe atakova padrejtësisht pse me mua nuk ishte edhe Policia(?) Kësaj nuk di t’i jap shpjegim.

Unë respektova orarin dhe u gjenda aty në përgjigje të institucionit. Në përfundim të seancës, po njësoj jam larguar nga ambientet e Gjykatës dhe dikujt mund të mos i ketë pëlqyer pse zgjodha derën tjetër.

Gjykova se është më e drejtë të shmang të gjitha ato “topa balte” të pamerituara që janë lëshuar e lëshohen drejt meje. Kam respektuar masen e caktuar nga Gjykata.

Oficeri i Policisë ka trokitur në derën time dhe unë kam qenë në banesë, është lehtësisht e verifikueshme. Por siç duket mediave që shpifin dhe përbaltin, faktet nuk i interesojnë.

Kam pritur të ndalet mllefi i pakuptimë ndaj një mjeku, prindi dhe familjari, por jo. E jam i bindur se as nuk do të ndalet edhe pas këtij momenti që po bëj reagimin e parë publik.

Portale, media apo gazetarë me qëllime dhe mision të mirëfilltë dashakeqës po tentojnë të shantazhojnë drejtësinë dhe ta kthejnë atë në “mashë” në duart e veta, për realizimin e asaj që është lehtësisht e kuptueshme pse po e bëjnë.

Po tentohet te denigrojn figuren e një mjeku, një profesionisti të shëndetësisë që ka qenë derë e hapur për qindra pacientë dhe që ka vuajtur njësoj me dhimbjet e pacientit.

Trajtimi shëndetësor i një pacienti në klinikë private është zgjedhje dhe e drejtë e tij. Mjeku ka për detyrë t’i përgjigjet njësoj, me të njëjtin përkushtim si në shtet ashtu edhe në privat. Ligji dhe statusi i mjekut nuk e ndalon një mjek të punojë në shtet dhe në privat. Ndjej keqardhje për këtë keqkuptim të krijuar dhe përhapur qëllimisht për interesa të kush e di se kujt.

Nuk synoj që, nga këto radhë shkrimi sqarues, t’iu mbyllet goja pasionantëve të sharjeve në rrjet.

Sharësit do vijojnë të shohin të bardhën të zezë, të mbjellin mjegull, të shtrembërojnë të vërtetën.

Intensiteti i sharjeve edhe mund të rritet nga mendjet e ngrysura dhe të errësuara nga urrejtja patologjike që po na avitet si shpagim për “mëkatet” dhe “krimet” e pakryera. Si qenie njerëzore edhe mjeku është i gabueshëm. Të luftosh me sëmundjen e dukshme dhe të padukshme, me plagët e vuajtjes çdo ditë, me qindra pacientë, të cilët shpresën e vetme e shohin te mjeku, nuk është aspak e lehtë.

Ma besoni! Po të trajtohet drejt dhe të ketë vullnet për të çuar në dritën e transparencës çfarë nuk funksionon te Onkologjiku, le të bëhet hetim i gjithanshëm dhe i plotë. Nuk jam në pozicionin e akuzuesit e as të denoncuesit, i takon drejtësisë të zbardhë të vërtetën dhe në fund të bëjë atë që i takon: Drejtësi!

Gjej rastin të falenderoj nga zemra qindra pacient që më shkruajn çdo ditë në emër të punës dhe përkushtimit tim si Mjek.

Share This Article
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com