VLORË– Vatra e zjarrit që ra pasditen e djeshme në qafën e Llogarasë është shuar. Zjarri që dyshohet se ishte i qëllimshëm ra pranë vendit ku hidhen parashutistët.
Zjarrfikësit, Forcave të Armatosura, Administrata e Zonave të Mbrojtura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile kanë punuar gjatë natës për të shuar flakët. Në ndihmë ka shkuar dhe ushtria dhe mësohet se rreth orës 04:00 është arritur që flakët të vihen nën kontroll.
Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrfikëses, Arben Cara, në një prononcim për median tha se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Ai thekson se po punohet për kapjen e zjarrvënësve dhe do të përballen me ligjin.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një postim në Facebook u bën thirrje banorëve të zonës që të kenë kujdes dhe mos të vënë në rrezik pasurinë kombëtare, ndërsa thotë se piromanët do të përballen me ligjin.
Ndërkohë mbrëmë u arrit të shuhej zjarri në kodrën e Gjilekës në Dhërmi.