Jo vetëm rinovimi i Simone Inzaghit është në axhendën e Interit. Denzel Dumfries, gjithashtu mund të vazhdojë së shpejti kontratën e tij me klubin zikaltër.
Sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport”, ditët e fundit ka pasur një takim mes drejtuesve të Interit dhe përfaqësuesve të lojtarit. Në tavolinë është zgjatja e marrëveshjes me ish-anësorin e PSV-së, të cilit kontrata i skadon pas një viti.
Interi, nga ana e tij, nuk dëshiron ta nisë kampionatin me situatën ende të papërcaktuar (të kombinuar me rrezikun e humbjes së lojtarit falas, pas një viti).
Dimrin e kaluar, Dumfries iu ofrua rinovimi deri në vitin 2028, me pagë prej 4 milionë neto, plus bonuse në sezon (paga aktuale e holandezit është 2.5 milionë euro).
Pas ngërçit të muajve të fundit, me Dumfries të mbërthyer në kërkesën prej 5.5 milionësh si pagë vjetore, anësori i djathtë është kthyer drejt “po”-së, duke iu hapur ofertës së Interit.
Diskutimet e ditëve të fundit kanë qenë pozitive. Ka mundësi që të nevojiten takime të reja kokë më kokë për akordin final, por ndjesia është se marrëveshja është afër.
Ndoshta zyrtarizimi i rinovimit vjen pas Kampionatit Europian (në të cilin anësori i Interit është ende protagonist i madh me fanellën e Holandës së tij, e cila do të thirret të përballet nesër në mbrëmje me Anglinë në gjysmëfinale).