Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është agresive ndaj Kosovës, jo vetëm duke mos e njohur si shtet të pavarur, por për shkak se “është angazhuar” në luftë hibride dhe po zhvillon trajnime ushtarake në bazat që i ka pranë kufirit me Kosovën.
Gjatë një interviste për CNN, Kurti tha se Kosova i kërkon Perëndimit që t’i bëjë presion Serbisë që të largojë ato baza, teksa theksoi se Beogradi ka ngjashmëri me Rusinë, pasi sipas tij, të dy u shkaktojnë telashe fqinjëve sepse “duan zgjerim”.
“Në aspektin politik, Serbia është shumë e ngjashme me Federatën Ruse. Ato nuk njohin de facto dhe de jure fqinjët e tyre. Ato u shkaktojnë probleme fqinjëve sepse duan zgjerim. Në anën tjetër, duhet ta them se Rusia ndoshta e imiton Serbinë e regjimit të Millosheviqit. Tani mund ta shohim sesi presidenti despotik [Vladimir] Putin dëshiron ta shndërrojë Ukrainën në një shtet, të ngjashëm me skenarin boshnjak, ku përbrenda do të ishte e ndarë në aspektin territorial, në mënyrë që ta bëjë jofunksionale dhe të krijojë mundësi për pushtim të mëtejmë të territorit”, tha Kurti.
Kryeministri kosovar tha se në aspektin historik, kulturor dhe operacional, Kremlini dhe Beogradi kanë imituar njëri-tjetrin dhe kjo është shqetësuese për Kosovën.
“Prandaj jemi të shqetësuar sepse është në interesin e Kremlinit që të përhapë konflikte të tjera në Evropë përmes bashkëpunëtorëve të tij. Dhe Serbia në Ballkan është shtet hegjemonist dhe njëkohësisht bashkëpunëtore e Rusisë”, tha Kurti.
Edhe gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, akuzoi Serbinë se i shërben interesave të Rusisë, shtet që ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës fqinje mbi dy vjet më parë.Për më shumë kliko KËTU