I dënuari me burgim të përjetshëm Dritan Dajti, ka lënë ditën e sotme qelinë e burgut. Dhjetëra forca policie dhe RENEA e kanë shoqëruar Dajtin në varrimin e nënës se tij, e cila ndërroi jetë një ditë më parë.
Ceremonia e varrimit u krye në Tufinë. Më pas, Dajti u kthye në ambientet e burgut të Peqinit ku vuan dënimin, një dënim ende i diskutueshëm dhe në proces gjyqësor, pasi dënimi me 25 vite burg ka përfunduar, ndërkohë që i Dajti e cilëson të paligjshëm vendimin për burgim të përjetshëm.
Dritan Dajti konsiderohet si një nga kriminelët më të rrezikshëm në Shqipëri. Ai është i njohur për vrasjen famëkeqe të katër oficerëve të policisë në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit të tij më 7 gusht 2009.
Por kjo nuk është e vetmja gjë për të cilën akuzohet Dajti, pasi ai është shpallur fajtor edhe për vrasjen e biznesmenit Agim Beqari më 17 shkurt 1999. Agim Beqari ishte kryetar i “Besa Konstruksionit” dhe u vra pranë bulevardit “Zogut të Zi” në Tiranë.
Gjatë gjykimit të tij, Dajti u arratis nga Gjykata e Tiranës dhe jetoi në arrati për më shumë se 6 vite. Pas 6 vitesh policia ka arritur të gjejë vendndodhjen e tij dhe ka tentuar ta arrestojë. Një shkëmbim zjarri ka ndodhur në “Pista Iliria”, një zonë shumë e mbushur me njerëz në Durrës, ku mbetën të vrarë katër policë. Pas kësaj, Dajti u arrestua dhe u dërgua në spital me plagë të rënda pas të shtënave.
Dajti u dënua për katër vrasje dhe u dënua me katër burgime të përjetshme. Gjykata e Lartë vendosi se i ishte shkelur e drejta për mbrojtës, dhe dënimi u ul në 25 vjet burg.