Ekstradimi i Leonard Dukës, një prej personazheve më të kërkuar të krimit, nga Belgjika drejt vendit tonë rikthen në vëmendje edhe sagën e përplasjeve mes tij dhe ‘bosit’ të lojërave të fatit, Ervis Martinaj.
Martinaj është i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022, por shumë prej mbështetësve të tij u ekzekutuan në atentate mafioze para se ai të zhdukej.
Që nga Santiago Malko, Fabian Gaxha, Bujar Lika, Erigers Mihasi, apo kushëriri i tij Brilant Martinaj.
Në 4 tetorin e 2018-ës, një konflikt mes dy grupeve në lokalin “Monopol” në ish-Bllok përfundoi në vdekjen e Fabian Gaxhës. Martinaj ndodhej me të, ndërsa u plagos së bashku me Eljo Haton.
Bujar Lika dhe Paulin Gjergji u ekzekutuan nga një grup prej katër personash në 30 maj të vitit 2019 në barin e një hoteli në fshatin Gjormë, në autostradën Mamurras-Lezhë.
Lika njihej me emrin Ari dhe me mbiemrin Hasani. Biznesmeni njihej gjithashtu edhe për miqësinë me Martinajn. Ai dyshohej si i përfshirë në një ngjarje kriminale në Linzë, ku mbeti i vdekur Enton Nikaj. Për këtë ngjarje u dënua me burg përjetë Eduart Lamaj dhe dy të tjerë, bashkëpunëtorë të tij janë shpallur në kërkim, por nuk janë vënë akoma në pranga.
Santiago Malko u qëllua me breshëri plumbash në zonën e Porcelanit, mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 teksa po lëvizte me makinën e tij BMW X5. 26-vjeçari u qëllua nga xhami i pasmë i një Mercedes-Benz-i, që po e ndiqte nga një distancë shumë e afërt makinën e tij në momentet para atentatit.
Për këtë ngjarje u dënua Blendi Teta, i cili dyshohet se ka vëzhguar lëvizjet e Malkos para atentatit.
Miku i bosit të lojërave të fatit, Erigers Mihasi u ekzekutua me kallashnikov më 13 nëntor të vitit 2021 në Astir. Ai ishte duke lëvizur me makinë së bashku me Armando Dumanin, kur u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një makinë tjetër. Nga të shtënat humbi jetën gjithashtu edhe Armando Dumani, ndërsa vrasja e dyfishtë ka mbetur ende e pazbardhur.
Më 23 dhjetor të vitit 2021 Can Kariçi u qëllua me një armë zjarri me silenciator brenda një makine me targa të huaja në Kodër Kamëz. 35-vjeçari kishte precedentë të mëparshëm penalë dhe ka qenë i dënuar për një plagosje të ndodhur në Tiranë në vitin 2018. Kariçi ishte mik i Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit.
Prej datës 17 maj 2022, i riu Ulvi Skana, 29 vjeç ka humbur gjurmët. Familjarët kanë bërë denoncimin në polici dhe ka nisur hetimi për rrëmbim. Në media është aluduar se ai ishte mik i ngushtë i Can Kariçit dhe i njohur i Martinajt.
Më 17 korrik të 2022-shit, tri persona mbetën të vdekur gjatë një atentati mafioz në mbikalimin e Fushë-Krujës. Autorët qëlluan me breshëri kallashnvikovi drejt makinës me të cilën po udhëtonte Brilant Martinaj, Diklon Vata dhe Besmir Hoxha. Nga breshëria e plumbave makina mori flakë. Vata doli jashtë mjetit, por u ekzekutua nga plumbat, ndërsa dy të tjerët u dogjën brenda mjetit.
Brilant Martinaj ishte kushëriri i parë i Ervis Martinajt. Ai rezultonte në kërkim për vrasjen e efektivit të FNSH Xhulio Prela në 5 nëntor të 2020-ës, por edhe një tjetër ish-efektivi të uniformave blu, Xhelal Reçit.
Më 22 korrik 2022, një breshëri armësh u zbraz drejt makinës së biznesmenit Ylli Brahimi, në oborrin e banesës së këtij të fundit. Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë Klisman Preçi dhe u plagos rëndë Ylli Brahimi, por ky i fundit i mbijetoi atentatit.
Ky nuk ishte atentati i vetëm ndaj tij, pasi edhe në janar të 2021-shit, teksa ka qenë duke ecur i qetë me dy persona të tjerë në rrugë, është qëlluar me armë, por edhe në këtë rast mbeti i plagosur.
Atentati me shënjestër Brahimin mendohet të jetë për llogari personale, por nuk lihet mënjanë as pista se ishte përpjekja e radhës e kundërshtarëve të Ervis Martinajt. Shumë prej atentateve mafioze nuk kanë ende autor, ndërsa dyshimet bien drejt grupeve kundërshtare, mes tyre klanin Duka. Fati i Martinajt mbetet ende enigmë, ndërsa hetimet vijojnë ende për zbardhjen e plotë.