SHKODËR– Të shtëna me armë zjarri ka pasur në orët e para të mëngjesit të sotëm (3 gusht 2024) në afërsi të bustit të Prekë Calit në Shkodër. Viktor Marku është personi që qëlloi në ajër me armë pas një konflikti me disa persona.
Marku pas ngjarjes është ndaluar nga policia ndërsa mësohet se ka qenë i dyshuar për vrasjen e Hekuran Billës në Tiranë. Ai u lirua për mungesë provash nga Gjykata e Tiranës ndërsa mbrëmjen e djeshme ka qëlluar në drejtim të personave që u konlfiktua, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Përveç Markut, u arrestuan dhe të dy persona të tjerë, dy djemtë e xhaxhait të tij, vëllezër mes tyre, Ndok dhe Lekë Marku. Në një automjet tip BMË është gjetur një gëzhojë arme me të cilën dyshohet se është qëlluar.
Policia informoi pasdite se kanë qëlluar në ajër në gjëndje të dehur.
Vrasja e Hekuran Billës
Viktor Marku dhe nipi i tij Sebastain Mali u arrestuan për atentatin e vitit 2020 në Komunën e Parisit në Tiranë, ku mbeti i vrarë Hekuran Billa. Mali e Marku u prangosën pas dyshimeve se e nxorën në pritë Billën me një vajzë. Kjo e fundit ishte infiltruar nga hasmi për ta nxjerrë biznesmenin në pritë. Fillimisht në dëshminë e saj ajo u shpreh se ishte paguar nga Viktor Marku, për t’i qëndruar pranë Billës, por më pas përpara prokurorëve ka mohuar kategorikisht përfshirjen e saj në këtë vrasje, teksa ka hedhur poshtë dhe zërat se ajo ishte paguar për të nxjerrë në pritë viktimën. Hekuran Billa ishte në hasmëri me Viktor Markun, pasi në vitin 2006 ka marrë pjesë në vrasjen e vëllait, Pal Marku në Angli.