Policia e Tiranës ka vendosur në pranga një 30-vjeçar të shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje.
Gabriele Peqini u arrestua në afërsi të mbikalimit te Casa Italias me dokumente të falsifikuara dhe me armë me vete. Gjithashtu 30-vjeçari raportohet se posedonte lëndë narkotike me vete.
“Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të mbikalimit te Casa Italias, është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi G. P., 30 vjeç.
Gjatë kontrollit fizik shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me krëhra e municion luftarak, dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara dhe sasi lënde të dyshuar narkotike”, njofton policia..
Gabriele Peqini akuzohet se në 2 Dhjetor 2022, në Durrës, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri një shtetas.
Ndaj tij Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Flagranca” nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me ato të Seksionit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.
Kapet dhe arrestohet një shtetas i shpallur në kërkim për tentativë vrasje, me rekorde të shumta kriminale dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore.
30-vjeçari qarkullonte i armatosur, me mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara si dhe posedonte lëndë të dyshuara narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me ato të Seksionit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim për tentativë vrasje, i cili qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Flagranca”.
Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të mbikalimit te Casa Italias, është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi G. P., 30 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
30-vjeçari, në vitin 2022, në Durrës, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri një shtetas.
Gjatë kontrollit fizik shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me krëhra e municion luftarak, dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara dhe sasi lënde të dyshuar narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë.